Nga Shqipëria / E Martë 13 Tetor 2020, 16:04

Tani u bë e detyrueshme, Rama tregon pse ndryshoi qëndrim për maskat

Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët se sa e besueshme është masa e re e vendosur nga qeveria për vendosjen e maskës me detyrim kur pak ditë më parë u falën të gjitha gjobat e vendosura përgjatë periudhës së karantinës.

Rama tha se motivi i kësaj nisme nuk është gjoba por sensiblizimi i qytetarëve për të shmangur një mbyllje të dytë, e cila do të ishte shumë e rëndë për të gjithë.

“Nuk është gjoba motivi pse njerëzit duhet të mbajnë maskën. Motivi kryesor është që të shmangim një mbyllje tjetër. Që do të ishte shumë e rëndë për të gjithë. Nuk ja vlen të rrezikosh një goditje të tillë. Nuk është çështja te gjoba, fare“, tha Rama

Kreu i qeverisë ka shpjeguar qëndrimin e tij lidhur me vendosjen e maskës me detyrim, ndryshe nga deklaratat e bëra përgjatë muajve të karantinës ku i bënte thirrje qytetarëve të mos e mbajnë maskën në ambiente të jashtme. Rama u shpreh se ka ndryshuar qasja e ekspertëve për këtë masë. Ai tha se maska mund të bëhet në kushtet e shtëpisë pa shpenzuar para shtesë.

Rama shpjegoi trëndafilin e vendosur në maskën e tij duke e cilësuar atë si trëndafilin e 25 prillit, ndërsa ironizoi presidentin Ilir Meta duke thënë se ai mund të vendosë Vojo Kushin.

“Maska në atë kohë kur e kemi folur ka pasur atë status. Sot ka një çështje tjetër. Këto janë çështje të ekspertëve. Unë kam për detyrë të dëgjoj se çfarë thonë ekspertët. Nuk ka qenë e domosdoshme të mbahej maska në ambiente të jashtme. Tani është. Nuk ka nevojë të jetë një maskë e blerë në dyqan, mund të prodhohet vetë. Një beze me dy lidhëse.

Unë kam zgjedhur të vë trëndafilin e socialistëve të 25 prillit. Ilir mund të vërë Vojo Kushin. Nuk ka nevojë fare të harxhosh asgjë. Këto historitë do jepni lekë këtu e atje janë mënyra më e keqe për t’iu qasur këtij sistemi. Maska mund të bëhet vetë. Mjafton të të mbrojë nga stërklat”, tha Rama.