Nga Shqipëria / E Shtunë 10 Tetor 2020, 11:11

Spitalet rajonale si spitale Covid, Manastirliu zbulon 3 skenaret për shtimin e rasteve

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu kanë dhënë këtë të shtunë një konferencë për shtyp. Manastirliu tha se qeveria ka gati tre skenarë me struktura të dedikuara për pacientët me Koronavirus.

Ministrja tha se aktualisht kanë në spitale 550 shtretër dhe vetëm 230 të shtruar, që mbulojnë 50% të kapacitetit. "Në strategjinë tonë jemi përgatitur dhe për kthimin e spitaleve rajonale në spitale Covid. Deri tani kjo nuk është bërë pasi ne e kemi përqëndruar trajtimin e pacientit në struktura të veçanta dhe kjo ka rezultuar me sukses", shtoi ministrja.

Ajo tha se nëse rastet vazhdojnë të shtohen tre skenaret përfshijnë dhe përfshirjen e spitaleve rajonale, nëse numri i të shtruarve shkon mbi 550.

“Të tre skenarët parashikojnë përfshirjen e spitaleve rajonale nëse plotësohen kuotat e 550 shtretërve. Në skenarin e parë përfshihen 5 spitale rajonale, në të dytin 3 spitale dhe në të tretin po ashtu 3 spitale. Në total do të kemi rreth 1600 shtretër të pajisur me elementët e nevojshëm, me terapi oksigjeni dhe me pajisjet e duhura për të trajtuar Covidin”, u shpreh Manastirliu.