"Daily Mail" ka bërë me dije se policia po merret me hetimin e një grabitjeje në shtëpinë e futbollistit Cristiano Ronaldo, në Madeira. Një hajdut ka hyrë brenda përmes një garazhi të hapur, ndërkohë që futbollisti dhe familja e tij nuk ndodheshin në pronë.

Alarmin për vjedhje e ka ngritur një afërm i Ronaldos të mërkurën në mëngjes. Hajduti ka marrë disa sende personale të Ronaldos, mes të cilave dhe një fanellë e nënshkruar e Juventusit me vlerë rreth 180 dollarë.

Hajduti është identifikuar nga policia dhe ka rezultuar të jetë dikush i njohur nga familja, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Rreth ngjarjes në fjalë nuk është bërë asnjë arrestim.




