Nga Shqipëria / E Shtunë 26 Shtator 2020, 14:02

U la në arrest shtëpie, reagon për herë të parë Fjolla Morina: Po shkatërroni familje

Këngëtarja Fjolla Morina ka qenë prej ditësh në qendër të vëmendjes së mediave. Gjykata ka vendosur për të masën "arrest shtëpie" dhe ajo po jeton në një apartament me qira në Kukës, së bashku me të bijat.

Së fundmi, Fjolla ka reaguar për herë të parë rreth ngjarjes në fjalë. Këngëtarja shkruan se situata është hiperbolizuar dhe përgjatë këtyre ditëve ka lexuar gjëra që as ajo nuk i dinte rreth vetes, gjëra që lëndojnë familje dhe fëmijë.

"E kuptoj mjaft mirë që të jesh person publik çdo gjë do të hiperbolizohet por deri në një farë pike. Të gjithë në këtë jetë nuk jemi të pagabueshëm e ju që drejtoni gishtin nga unë, bëni mirë të numëroni gabimet e juaja ndonjëherë. Çfarë s'kam lexuar këto ditë për veten time! Gjëra që dhe unë nuk i dija...por të shkruani me emër dhe mbiemër dikë i cili nuk ka asnjë lidhje intime me mua, kjo është keqdashje e pastër. Po shkatërroni familjen e një njeriu që nuk e meriton këtë "show". Po shkruani gjëra të paqëna dhe po lëndoni familje dhe fëmijë. Fajet e mia i marr vetë mbi supe ama ligësinë për pak para klikimesh nuk e kuptoj. Mos fusni në valle njerëz familjarë", ka shkruar Fjolla.