Po bën bujë në Indi lajmi se një sërë emrash të njohur të showbizzit mendohet se janë përfshirë në një rrjet droge. Mes tyre janë përmendur edhe emrat e Sara Khan dhe Angad Hasija, të dy të njohur në Shqipëri me rolin e Sadnës dhe Alekut në serialin "Bidaai".

Emrat e tyre dolën gjatë marrjes në pyetje të aktores indiane, Abigail Pande. Raportohet se policia gjeti drogë në banesën e Sanam Johar dhe Abigail Pande në Juhu. Çifti u morën në pyetje dhe dyshohet se kanë lidhje me shitësin e drogës Anuj Keswani.

Sipas burimeve, Keswani zbuloi emrat e 5 aktorëve të tjerë, që pritet të zbulojnë më shumë pas marrjes në pyetje.
Pas lajmeve për implikim në rrjetin e drogës, Sara Khan dhe Angad Hasija kanë reaguar për mediat indiane duke mohuar akuzat.

"Nuk kisha dijeni për këtë lajm. E mësova nga media që emri im është përfshirë. Unë nuk kam përdorur kurrë drogë. Nuk e kuptoj sesi dhe pse është përfshirë emri im. Ndoshta sepse më kanë parë nëpër klube nate sepse mua më pëlqen të festoj. Por të shkosh në klube nate nuk do të thotë se përdor drogë. Sinqerisht, nuk kam asnjë informacion për këtë, por nëse mësoj diçka do t'ju informoj. I kërkoj mediave të mos shpërndajnë lajme të pavërteta", u shpreh Sara Khan për India Today Television.
Ndërsa Angad Hasija tha: "Jam i shokuar pasi dëgjova lajmet. Ky lajm është i pavërtetë dhe nuk kam lidhje aspak me këtë. Emri im është përfshirë pa nevojë në këtë, gjë që është e gabuar".




