Nga Shqipëria / E Martë 22 Shtator 2020, 14:02

Nga puna si pastruese në një garë Missi, historia frymëzuese e modeles shqiptare

Elsa Alijaj, vajza nga Laçi pati historinë më të veçantë në ”Miss Universe Albania 2020”. Elsa ishte e ftuar në "Ftesë në 5", ku tregoi se ka lindur e është rritur në Itali dhe rrugëtimi i saj dhe i familjes përtej Adriatikut nuk ka qenë aspak i lehtë. 

"Kam lindur në Itali. Familja ime si shumë familje të tjera ka emigruar për një jetë më të mirë, por kemi kaluar shumë vështirësi. Punoja për t'i dhënë forcë dy vëllezërve të mi të vegjël. Jeta të ul në gjunjë, por ti duhet ta puthësh tokën, me besimin se një ditë do puthësh qiellin. Mami punonte si pastruese, unë duke e parë mamin që lodhej s'mund të rrija në shtëpi. Pas shkolle shkoja me mamin dhe ndihesha mirë që po bëja diçka për familjen. Çdo vështirësi që vjen në jetë, nuk vjen për të të rrëzuar, por e marr si një dhuratë nga Zoti se një ditë ka me ja vlejt dhimbja", tregoi Elsa.

Elsa thotë se shkonte në shkollë dhe i kërkonte mikeshave ëmbëlsira, ato i fshihte dhe të nesërmen ia jepte vëllezërve që të ushqeheshin. Ajo shtoi mes lotësh se vazhdimisht i thoshte atyre se familja është në gjendje të mirë dhe se gjithçka është në rregull.

”Po mundohesha mos me e dallu që ishte krizë. Ndonjëherë mungonte ushqimi që vëllezërit merrnin tek shkolla. Unë shkoja për vete në shkollë dhe pyesja shoqen time më fal a keni ëmbëlsirë sepse më hahet, po sigurisht më thoshin. Unë i merrja dhe i fshihja dhe të nesërmen në mëngjes ia jepja vëllezërve të mi. I thoja që gjithçka është mirë, ne nuk kemi asgjë”, u shpreh Elsa.