Nga Shqipëria / E Hënë 21 Shtator 2020, 13:01

'Nuk e dinim që ajo kishte pistoleta', flet biznesmeni që u arrestua me Fjollën, këngëtarja: E kam dhuratë nga një mik

Këngëtarja e njohur Fjolla Morina ka pranuar autorësinë e armës që iu gjet në çantë, duke u shprehur se armën ia ka dhuruar një miku i saj në Gjermani, që nuk jeton më dhe se e mbante në kujtim të tij.

“Ju deklaroj se jam nisur nga Kosova, me makinën time, për në Tiranë pasi kam për të bërë muzikë, dhe në makinë kam pas me vete edhe persona të tjerë. Ata janë Fitim Muji, i cili është shoferi im dhe Fisnik Syla, i cili është shoku im. U futëm në Pikën Kufitarë të Kontrollit të Morinës rreth orës 02:10 minuta dhe gjatë kontrollit më kanë gjetur pistoletën në çantë dhe fishekët në makinë. Këtë pistoletë e kam pasur në njërën prej çantave, se kam tre-katër çanta me vete, se jam nisur në Tiranë për këngë dhe këtë e kam pas prej kohësh. Armën ma ka bërë dhuratë dikush. Një miku im nga Gjermania, i cili sot nuk jeton më. Personat që ishin me mua në makinë nuk e dinin se unë kam pistoletë, pasi as vetë nuk e kam ditur se e kam në çantë pistoletën, e kisha harruar", ka thënë Morina në deklaratën e saj.

Ndërkohë, dy djemtë, Fisnik Syla dhe Fitim Muji që u arrestuan bashkë me këngëtaren, janë shprehur se nuk kishin asnjë dijeni mbi armën që kishte këngëtarja. Përpara grupit hetimor, Syla dhe Muji, janë shprehur se ata kanë qenë në makinë me këngëtaren vetëm për ta shoqëruar drejt Tiranës, dhe se nuk e kishin aspak idenë që ajo kishte marrë dhe pistoletë me vete.

“Jemi vetëm shoqëruesit e Fjollës. Nuk e dinim që ajo kishte këto pistoleta në çantën e dorës dhe në makinën e saj. Ajo kishte për të shkuar në Tiranë për muzikë dhe po e shoqëronim", janë shprehur Muji dhe Syla, të dy nga 29 vjeç secili.

Burimi: dosja.al