Nga Shqipëria / E Diel 20 Shtator 2020, 13:01

Zbardhet dëshmia e Fjolla Morinës: Armën e kisha harruar disa kohë më parë brenda në çantë

Këngëtarja e njohur Fjolla Morina, e cila u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka pranuar në policinë e Kukësit se arma e zjarrit pistoletë tip "Zoraki" dhe 23 fishekë, i përkisnin asaj.

Gjatë marrjes në pyetje, Fjolla Morina, ka treguar se armën e kishte harruar në çantë.

“Unë i ndërroj shpesh çantat dhe armën e kisha vënë disa kohë më parë, pikërisht në çantë. E kam haruar aty, dhe sot e mora çantën pa ditur që pistoleta ishte ende aty brenda dhe udhëtova drejt Shqipërisë”, tha këngëtarja.

Çështja penale është regjistruar në Prokurorinë e Kukësit për akuzën e “Trafikimit të armëve dhe municioneve” kryer në bashkëpunim, akuzë kjo që parashikon një marsh dënimi nga 10 deri në 20 vite burgim.

Policia arrestoi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në makinë tip "Audi" Fjolla Morinën, dhe dy djemtë 29-vjeçarë F.M., 29 vjeç, banues Bresalc, Kosovë dhe F.S.,29 vjeç, banues për Belgjikë.

Pritet që ditën e hënë ose të martën, gjykata e Kukësit, të zhvillojë seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të ndaluarve.

Burimi: Shqiptarja.com