Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) konfirmoi për ESCToday pjesëmarrjen në garën e ardhshme të Eurovision Song Contest 2021, i cili do të mbahet në Hollandë. Shqipëria nuk do të përfaqësohet nga Arilena Ara, fituesja e edicionit të kaluar të Festivalit të Këngës, por nga fituesi/ja e këtij viti.
Festivali i Këngës do të mbahet në dhjetor, ndërkohë që datat nuk janë specifikuar ende.
Në fillim të korrikut, RTSH njoftoi se kanë nisur përgatitjet për Festivalin e 59 të Këngës.
“Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet. Nëndrejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi sot takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues. Në takim u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival,”u shkrua në njoftim.
Sipas njoftimit, pritet që këtë muaj, krijuesit të paraqesin këngët konkurrente për edicionin e 59.
Burimi: rtk.live
