Nga Shqipëria / E Hënë 14 Shtator 2020, 21:09

U emërua ministrja e re, flet Shahini: Pyesni Ramën pse më larguan ditën e parë të shkollës

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama bëri me dije se ministrja e arsimit, Besa Shahini është larguar nga detyra. Në vendin e saj është vendosur deputetja socialiste, Evis Kushi.

Në një intervistë për emisionin "Open", Shahini ka treguar se e kishte diskutuar prej kohësh me Ramën largimin e saj.

“Unë kërkova lirimin, por isha e gatshme të punoja derisa të gjendej dikush tjetër. A jam shkarkuar? Kam kërkuar të lirohem. Kemi diskutuar që mund të jetë në fund të shtatorit”, tha ajo.

Ministrja kishte njoftuar se do të largohej në fund të mandatit dhe për të ka qenë surprizë që kjo ka ndodhur në ditën e parë të shkallës. Megjithatë, Shahini thotë se pyetja "Pse" duhet t'i bëhet kryeministrit.

“Pyetjen duhet t’ja bëni kryeministrit. Për mua nuk ishte surprizë. E prisja. U diskutua dhe ndodhi sot. Nuk ka simbolikë që më larguan ditën e parë të shkollës. Për simbolikën duhet të pyesni kryeministrin”, u shpreh ajo.