Nga Shqipëria / E Hënë 14 Shtator 2020, 16:04

Aksidenti tragjik/ Flet gazetari Edmond Dibra, babai i Denisës: Kur u përmend kërkoi shoqet

Gazetari Edmond Dibra, babai i 26 vjeçares Denisa Dibra, ka treguar për "Report TV" se vajza e tij është përmendur dhe është mirë. Gazetari tregoi se vajza nuk e kujton përplasjen, por kërkon shoqet e saj. 

“Aksidenti ishte shumë i rëndë. Në orën 5 të mëngjesit ka ardhur reagimi i parë i saj. Nuk e kujton fare përplasjen. Kur është përmendur ka kërkuar vetëm shoqet e saj. Kjo është një gjë e mirë sipas mjekëve sepse ajo mban mend momente", tha Dibra

Gazetari i RTSH tregoi edhe sesi e mori vesh lajmin: "Në darkë thashë si s’po më merr vajza. Mua s’po më mbante vendi. I bie vajzës dhe më del në telefon dikush. I thashë kush je ti që hap telefonin e vajzës sime. Unë jam një qytetar nga Elbasani më tha dhe vajza juaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I thashë po pse çfarë ka ndodhur. Është bërë një aksident më tha por vajza është mirë. U nisa menjëherë për në spital”, u shpreh Dibra.

Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin Tiranë-Elbasan, ku 4 vajzat që po udhëtonin me mjetin 'Volkswagen' ishin nisur drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Denisa Dibrës, 25 vjeç.

Festa u kthye në tragjedi, kur makina e tyre u përplas nga mjeti tip "Benz" me drejtues Behar Pema, 58-vjeçar, i cili në gjendje të dehur ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë.