Nga Shqipëria / E Hënë 14 Shtator 2020, 15:03

Aksidenti tragjik në Elbasan/ 4 vajzat do festonin ditëlindjen e shoqes, njëra prej tyre vajza e gazetarit të njohur

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin Tiranë-Elbasan, ku dy vajza humbën jetën dhe dy të tjera janë në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë. Të 4 vajzat që po udhëtonin me mjetin 'Volkswagen'  ishin nisur drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Denisa Dibrës, 25 vjeç, një nga të plagosurat e aksidentit.

Festa u kthye në tragjedi, kur makina e tyre u përplas nga mjeti tip "Benz" me drejtues Behar Pema, 58-vjeçar, i cili në gjendje të dehur ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë .

Denisa Dibra, e cila ishte drejtuesja e mjetit është vajza e gazetarit sportiv të RTSH-së në Shkodër, Edmond Dibra.

E plagosura tjetër është Nervida Garunja, 24 vjeç, e cila pas aksidenti ka mundur të dëshmojë se drejtuesi i mjetit "kryente manovra në rrugë, ecte dhe nuk mbante drejtimin”.

Denisa Dibra dhe Nervida Garunja kanë qenë në terapi intensive në Spitalin e Traumës. Fatmirësisht gjendja e të plagosurës Denisa Dibrës, 25 vjeç, është përmirësuar dhe sipas mjekëve ajo ka kaluar rrezikun për jetën dhe është në gjendje të vetëdijshme. Ndërsa e plagosura tjetër Nervida Garunja, 24 vjeç, është ende në gjendje të rendë për jetën. 

Familjarët e të plagosurave ndodhen në spitalin e Traumave në Tiranë, ndërsa kanë dhuruar gjak, pasi vajzat panë pasur nevojë urgjente për të.

Nga aksidenti mbetën të vdekura Lusinda Garunja, 19 vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeç, të cilat ishin pasagjere në pjesën e pasme të makinës, nga ku erdhi dhe goditja e fortë e makinës tip "Benz". Lusinda Garunja dhe Nervida Garunja ishin motra mes tyre, por fati i ndau në moshë tepër të re.

Burimi: Shqiptarja.com