Nga Shqipëria / E Diel 13 Shtator 2020, 21:09

Viti i ri shkollor nis nesër/ Shahini jep mesazhin e rëndësishëm për nxënësit

Me anë të një video-mesazhi në rrjete sociale, ministrja Besa Shahini ka përcjellë urimin e saj për vitin e ri shkollor, i cili nis nesër. Ajo iu ka bërë thirrje nxënësve të respektojnë protokollet e vendosura, si masë sigurie ndaj Koronavirusit.

“Nxënës të dashur! Nesër do të uleni në bankat e shkollës përsëri për të filluar vitin e ri shkollor 2020-2021. Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për ju, ndaj jemi përkujdesur me stafet e shkollave, mësuesit tuaj, drejtorët e shkollave, si dhe të gjithë institucionet përgjegjëse për të siguruar një fillim sa më të mbarë për vitin e ri shkollor.

E di që do e keni shumë të vështirë të ndiqni protokollet e sigurisë së shëndetit që kemi vendosur në shkollat tuaja, por kjo është e domosdoshme në mënyrë që të minimizojmë përhapjen e koronavirusit në shkollë, i cili është ende mes nesh, dhe në mënyrë që të qëndrojmë sa më gjatë në shkollë.

Në rast se duhet të mbyllet ndonjë klasë apo ndonjë shkollë për shkak të infektimeve do të mbështetemi tek plani B, që është kanali “RTSH Shkollë”, ku i kemi të xhiruara të gjitha leksionet që do t’i zhvilloni edhe në shkollë me mësuesit tuaj, dhe kemi edhe platformën online që do të shërbejë për mësim në kushte shtëpie", tha Shahini.