Ditën e nesërme nis viti i ri shkollor, ndryshe nga çdo herë tjetër për shkak të Koronavirusit. Një mësuese nga gjimnazi "Ismail Qemali" në Tiranë, Irma Marku ka dhënë një intervistë për "Abc News", ku është shprehur se ndodhen në një kaos të vërtetë. Sipas saj, programi i paraqitur nga ministria nuk është i qartë.
"Jemi duke nisur një vit me maska, që po reflekton heqjen e maskave të propagandës qeveritare. Jemi duke nisur vitin shkollor , por në një situatë kaosi. Jemi ne mësuesit në kaos, në enigmë të plotë.
Kemi grafiqe të bukura me ngjyra, harta, ndarje, por realisht nuk kemi një program të qartë. Udhëzimi na vjen me tre skenarë.
Skenari i parë ai që besoj unë, do të donte që të ndodhet në një fillim viti brenda klasës me mësim normal. Pastaj kemi një alternim të mësimit në klasë dhe online, dhe më pas ajo që të mos ndodhë të tërhiqemi për mësim online.
Drejtuesve të shkollave u ka ardhur një mesazh interesat, ku presupozohet që 14 shtatori të jetë një ditë feste. Unë nuk arrij ta kuptoj. Jemi në një situatë të tillë, të maskuar. Jemi përballë tre skenarëve dhe e duhet të përpunojmë informacionin. Mësuesi është në një pikëpyetje të madhe. Nëse unë nuk referoj siguri, si do ia transmetoj fëmijës”, tha ajo.
