Nga Shqipëria / E Shtunë 5 Shtator 2020, 16:04

6 vdekur nga Covid në 24 orët e fundit, mes tyre një infermier

Ministria e Shëndetësisë njofton se 6 qytetarë e kanë humbur betejën me koronavirusin gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, mes tyre edhe një infermier.

Betejën me virusin e rrezikshëm nuk e ka fituar dot një 63 vjeçar nga Tirana, i cili ka ushtruar detyrën e infermierit në spitalin e Traumës dhe vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese, me gjithë përpjekjet maksimale të mjekeve dhe infermiereve. I shprehim ngushëllime familjarëve dhe kolegëve për këtë humbje jo vetëm për familjen por edhe për sistemin tonë shëndetësor. Betejën me këtë virus të rrezikshëm nuk e kanë fituar edhe një 64 vjeçar nga Mati, një 71 vjeçare nga Divjaka dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 77 vjeçar; një 72 vjeçare dhe një 80 vjeçare. 

Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 189 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 12 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.