Mjekja shqiptare, Romina Selenica që prej 11 vitesh jeton në Itali dhe punon në sistemin shëndetësor italian, ka treguar përmes një postimi në Facebook, se prej 46 ditësh ka qenë e infektuar me Covid-19.

Romina tregon se gjatë kësaj kohe ka patur dhimbje fizike, psikologjike, shpirtërore, por për fat të mirë, e ka mposhtur sëmundjen dhe i është rikthyer punës.

Ajo e quan këtë të shtunë jo një ditë të zakonshme sepse më në fund ka mundur t'i përqafojë njerëzit e saj të dashur dhe të shijojë jetën.

"Nuk është një ditë e thjeshtë pune, nuk është një e shtunë si çdo tjetër që kam qënë në punë. Është e para e kthimit në rutinën e jetesës time mbas 46 ditësh me Covid-19. Pavarësisht çdo dhimbjeje fizike, psikologjike apo shpirtërore UNË JA DOLA, ti kthehem pacientëve të mi, të përqafoj njerëzit e mi të dashur, të rishijoj të bukurën liri, vetë jetën! Ndjesë që nuk kam mundur t’ju kthej përgjigje mesazheve, shpresoj në mirëkuptimin tuaj! Me respekt, Dr. Romina Selenica", shkruan mjekja.




