Nga Shqipëria / E Shtunë 5 Shtator 2020, 12:12

'Do jem i pari', Veliaj i gatshëm për të dhuruar plazmën e gjakut për pacientët me Covid

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pak kohë më parë arriti ta mposhte koronavirusin, pas disa ditësh izolim dhe mjekim. Ditën e sotme Veliaj, gjatë fjalës së tij në këshillin bashkiak tha se është i gatshëm për të dhuruar plazmën e gjakut për pacientët me Covid duke u shprehur se do të jetë i pari nga Bashkia që do e bëjë këtë dhurim.

Veliaj ftoi edhe anëtarët e tjerë t'i bashkohen dhe të bëhen donatorë për të shpëtuar jetë.

“Unë si një pacient i shëruar do jem i pari nga Bashkia si kryetar që do dhuroj plazmën për ata që kanë nevojë për këtë trajtim. Ftoj të gjithë anëtarët e tjerë që e kanë kaluar të bëjnë të njëjtin veprim. Ka stigmë për ata që nuk dhurojnë, kur njerëzit kanë frikë dhe një lloj ndrojtje. Lipset solidaritet për ata që e kanë kaluar që të bëhen donatorë”, u shpreh Veliaj.