Nga Shqipëria / E Premte 4 Shtator 2020, 15:03

A lejohen telefonatat për pacientët e shtruar në spitalet Covid? Flet mjekja: Nuk ua ndalojmë por...

Mjekja e QSUT, Entela Kolovani, tregon për News24 se pacientët në spitalet Covid lejohen të mbajnë telefona me vete dhe të bëjnë telefonata apo edhe video-call me familjarët, por kur gjendja e tyre rëndohet, e kanë të pamundur ta përdorin telefonin.

"Kur pacientët paraqiten për shtrim kanë me vete telefonat e tyre, me të cilët komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me familjarët. Në asnjë moment ne s’i kemi penguar telefonat, por është vetë sëmundja, që ua bën të pamundur komunikimin pacientëve. Gjithsesi ne kemi një numër telefoni të familjarëve për cdo pacient, për të dhënë një informacion të shkurtër lidhur me situatën e tyre", u shpreh mjekja.

Lejohen video-telefonatat?
Patjetër, shpesh pacientët bëjnë video-call me familjarët e tyre. Çdo ditë ne komunikojmë duke dhënë informacion për çdo pacient. Nëse kemi ndryshim dhe agravim të situatës, sigurisht që bëhet në çdo moment komunikimi te familjarët. Për pacientët në gjendje stabël, komunikimi është 1 herë në 24 orë.