Armine Harutyunyan është modelja e zgjedhur nga marka prestigjioze "Gucci", dhe që është kthyer në vajzën më të komentuar të rrjetit. Armine është 23 vjeç, me origjinë nga Armenia, është brune, ka fytyrë të mprehtë dhe vetulla të trasha.

Ajo mori vëmendje në prezantimin e koleksionit pranverë-verë 2020 nga Gucci. Marka prestigjioze e zgjodhi Arminen pikërisht për të ndryshuar stereotipet e shoqërisë mbi bukurinë, megjithatë kritikat kanë qenë të shumta nga komentues që shprehen se ajo nuk ka vend në industrinë e modës.

Në një intervistë për Repubblica, Armine tha se ishte e zhgënjyer në fillim nga komentet, por e kuptoi se nëse nuk ka fuqinë për t'i heshtur njerëzit, të paktën mund t'i injorojë ata.

23-vjeçarja u shpreh se arsyeja për gjithë këtë zhurmë në lidhje me pamjen e saj është frika nga e ndryshmja, prandaj nuk ia vlen të shqetësohet se kush e sulmon.

Armine është e vendosur të mos u përgjigjet ofendimeve, është e sigurt me veten dhe bukurinë e saj alternative dhe jashtë kontureve tradicionale.






