Nga Shqipëria / E Enjte 3 Shtator 2020, 14:02

Vetëvrasja e pacientit/ Reagon spitali 'Shefqet Ndroqi'

Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka reaguar për vetëvrasjen e 65-vjeçarit Hasan Mira, i cili u hodh nga dritarja ditën e djeshme, duke shënuar ngjarjen e dytë të rëndë brenda këtij spitali.

Spitali njofton se 65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit. 


Reagimi i spitalit

Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet H.M, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e sotme dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira.

65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.

Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se po vijojë të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë.