Nga Shqipëria / E Mërkurë 2 Shtator 2020, 17:05

Për ata që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë: Ambasada në Tiranë bën njoftimin e rëndësishëm

Meqenëse Shqipëria vazhdon të konsiderohet një zonë rreziku, Ambasada gjermane në Tiranë ka njoftuar se të gjithë ata që hyjnë në Gjermani duhet të karantinohen për 14 ditë.

Po ashtu ata duhet të paraqesin rezultatet e testimit për Koronavirusin. Në shumë aeroporte në Gjermani, është i mundur testimi falas brenda 72 orëve nga mbërritja.

Njoftimi:

Meqenëse Shqipëria vazhdon të kosiderohet një zonë rreziku nga Instituti Robert Koch, të gjithë ata që hyjnë në Gjermani janë të detyruar që menjëherë pas mbërritjes të nisen direkt drejt vendbanimit të tyre ose një strehimi tjetër të përshtatshëm (p.sh. hotel) dhe të qëndrojnë atje për një periudhë prej 14 ditësh pas hyrjes së tyre (karantinë).

Udhëtarët që hyjnë në Gjermani janë gjithashtu të detyruar të informojnë autoritetin shëndetësor përgjegjës për ta mbi adresën e tyre të qëndrimit në Gjermani. Ata janë gjithashtu të detyruar që me kërkesë të autoriteteve të paraqesin rezultatet e testimit për koronavirusin e ri. Ju mund të testoheni falas brenda 72 orëve nga mbërritja juaj, edhe nëse nuk keni marrë ende një kërkesë të tillë. Kjo është e mundur në shumë aeroporte në Gjermani.