Ministrja e Arsimit Besa Shahini thekson se mbajtja e maskës në shkollë do të jetë e detyrueshme me nisjen e vitit shkollor në datë 14 shtator.
“Mbajtja e maskës është e detyrueshme, sepse kjo është e vetmja mënyrë se si ne të mbrojmë veten dhe të tjerët. Gjithsesi, këtë më mirë e sqarojnë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë nëpërmjet kësaj videoje”, shkruan Shahini.
Nxënësit e shkollës Servete Maçi e shpjegojnë me nevojën për të ruajtur shëndetin, por edhe si një aksesor.
“Sepse ruan shëndetin tim dhe të prindërve të mi. Sepse ruajmë shokët dhe shoqet tona në klasë. Parandalon përhapjen e virusit tek mësuesit tanë dhe stafin tjetër të shkollës.
Gjatë qëndrimit në shkollë të gjithë prej nesh duhet të kemi kujdes që ta prekim sa më rrallë maskën. Në rast se e heqim ndonjëherë, duhet të kemi shumë kujdes: E heqim nga pjesa e pasme, lajmë menjëherë duart dhe përdorim dezinfektant në fund.
Duke mbajtur maskën, tregojmë qytetarinë për vete dhe të tjerët. Kështu mbroni veten. Nona fare. Është e papame. Virusi as që guxon të kalojë atë. Maska mbi të gjitha është trend”, shprehen ata.
