Nga Shqipëria / E Enjte 16 Korrik 2020, 14:02

E rëndë/ Infektohen me Covid 104 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë

104 persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë janë të infektuar me Covid-19. Mediat kosovare shkruajnë se 20 prej të infektuarve janë staf civil, katër zyrtarë nga Kabineti i Ministrit Agim Veliu dhe 80 zyrtarë policorë.

Ngjarjen e ka konfirmuar për Gazetën Ekspress, vetë kabineti i Ministrisë. Në prononcim theksohet se përveç gjashtë zyrtarëve policorë që gjenden për trajtim në spital, të infektuarit e tjerë janë vetizoluar në shtëpitë e tyre.

“Deri me sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencitë e MPB-së, gjithsej janë të infektuar 104 zyrtarë me Covid -19, ku nga ta 20 zyrtar janë nga stafi civil, 4 zyrtarë nga kabineti i ministrit si dhe 80 janë zyrtarë policor. Sipas raportimeve gjendja e tyre është stabile ku të gjithë të infektuarit janë të vetë izoluar në shtëpitë e tyre, në përjashtim të 6 zyrtarëve policor që gjenden në spital për trajtim. MPB është e informuar se gjendja e tyre është stabile për momentin. Po ashtu, disa zyrtarë të cilët janë raste të kontaktit me persona e infektuar me COVID-19, janë në vetë izolim por pa simptome. Ju njoftojmë që MPB është duke punuar me staf esencial sipas rekomandimeve të IKSHPK-së,”– deklaron vetë intitucioni.