Nga Shqipëria / E Enjte 20 Gusht 2020, 22:10

Ndërron jetë 36-vjeçarja/ Procedohen penalisht dy mjekë në Durrës, nuk i dhanë mjekimin e duhur

Një 36-vjeçare ka humbur jetën në Spitalin e Durrësit. Policia ka njoftuar se ka proceduar penalisht 2 mjekë, të qendrës shëndetësore në Shijak dhe Urgjencës mjekësore në Durrës.

Abcnews.al ka mësuar se nga tërësia e hetimeve ka rezultuar se dy mjekët nuk kanë kryer terapinë e duhur ndaj pacientes. Lidhur me akuzën pritet akti i ekspertimit mjeko ligjor i institutit të mjekësisë ligjore Tiranë.

Siç raporton gazetari Leonidha Musaj për abcnews.al 36-vjeçarja ka shkuar tre herë tek qendra shëndetësore në Shijak.

Sipas familjarëve mjekët e kësaj qendre shëndetësore nuk i kanë dhënë shumë rëndësi, dhe ajo është detyruar të shkojë në spitalin e Durrësit ku dhe është përkeqësuar gjendja e saj shëndetësore.

Në Durrës, e reja i është nënshtruar skanerit dhe ka ndjekur disa vizita por ka humbur jetën brenda dy orësh, pa kuptuar se nga çfarë vuante.

Mjekësia ligjore pritet të hedhë më shumë dritë rreth shkakut të vdekjes.

Burimi: abcnews.al