Nga Shqipëria / E Enjte 20 Gusht 2020, 12:12

Skënder Brataj dhuron plazmën për trajtimin e të infektuarve me Covid-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, dy spitaleve “Nënë Tereza” dhe “Shefqet Ndroqi” ka nisur procedurën për terapinë e plazmës për trajtimin e të prekurve nga COVID-19.

Skënder Brataj i cili e ka kaluar Covid-19 ka dhuruar ditën e sotme plazmën e gjakut që do të përdoret për të shëruar pacientët e sëmurë.

“Besoj se jam i pari ose ndër të parët personel mjekësor i infektuar në Shqipëri. Kjo iniciativë duhet të fillojë sa më shpejt në Shqipëri. Kjo është iniciativë që duhet të përqafohet nga të gjithë ata që kanë kaluar infeksionin që të grumbullohet sa më shumë gjak që pacientët që kanë nevojë për tranfuzion gjaku ta kenë atë në dispozicion. Ju lutem të gjithë merrni pjesë në dhurimin e gjakut”, shprehet Brataj.

Momenti i dhurimit të gjakut nga Skënder Brataj u publikua edhe nga ministrja Ogerta Manastirliu e cila shkruan: "Krenare për ekipin e mjekëve, që edhe me shembullin vetjak, tregojnë vlerat e solidaritetit dhe humanizmit. Dr. Skënder Brataj i është bashkuar nismës “Bëhu hero për dikë që ka nevojë”, për të dhuruar gjak, që do të shërbejë për trajtimin e pacientëve me COVID19. Bëhu edhe ti hero për dikë që ka nevojë për ty!”.