Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i ftuar në rubrikën "Opinion" në News 24 tha se karantina në vend nuk do të kthehet, pavarësisht rritjes së numrit të infektuarve.
Brataj tha do të ketë ashpërsim të masave dhe do të rritet edhe numri i testimeve, duke shkuar deri në 1 mijë në ditë.
“Nuk diskutohet mbyllje dhe as karantinë. Ashpërsim masash mund të ketë në forma të ndryshme, siç po bën gjithë bota. Ajo varet edhe me sistemin shëndetësor, që nuk mund ta çojmë në kolaps. Për fat të mirë, 51% e të infektuarve janë shëruar. Janë spitalet Covid, pastaj janë spitalet rajonale, që do t’i përgjigjen nevojave të njerëzve. Do të rriten edhe testimet, që do të shkojnë deri në 1 mijë në ditë. Shtimi i testimeve bëhet për parandaluar më shpejt përhapjen e infeksionit. Nga shtimi i testeve do të rritet edhe numri i të infektuarve, por nuk presim shifra shumë të larta”, tha Brataj.
Më tej, Brataj theksoi se “Pas 3-4 javësh që dola negativ ndaj koronavirusit, pati një moment që pata sërish probleme, fillova të ndihesha keq. Në atë kohë po bëja shumë aktivitet fizik dhe thashë ‘një sekondë, se unë mushkërinë e kam të dëmtuar, ndonëse jo 100%’”. tha Brataj në News 24.
