Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, ka reaguar në lidhje me dilemën e prindërve dhe të nxënësve për nisjen e vitit të ri shkollor.
Shahini në një video mesazh shprehet se vendimi do të merret nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë.
“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, është shprehur Shahini.
"Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore.
Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë disa për shkak të shpërndarjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor.
Në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor".
Burimi: abcnews.al
