Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu së bashku me ekspertët e shëndetit publik kanë prezantuar sot strategjinë e vjeshtë-dimrit për testimin, gjurmimin dhe parandalimin e COVID-19.
Manastirliu njofton se nga shtatori do të dyfishohet numri i testimeve dhe do të rriten me 30% edhe stafet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve në terren, gjithashtu do të shtohet flota e dedikuar e Njësive Lëvizëse për hetimin epidemiologjik në terren.
"Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga Shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve", tha Manastirliu.
“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”, tha ministrja.
