Një çift iranian janë dënuar me 16 vite burg për shkak të fotove të publikuara në rrjete sociale. Çifti janë shumë të njohur në Instagram, ku Ahmad Moin-Shirazi numëron mbi 600 mijë ndjekës ndërsa Shabnman Shahrokhi mbi 800 mijë.

Gjyakata Revolucionare e Iranit e ka dënuar çiftin me 16 vjet burg të kombinuar dhe 74 fshikullime për shkak se kanë postuar foto ku Shabnman shfaqet pa shami.

Ish-bokseri, Ahmad Moin-Shirazi dhe gruaja e tij Shabnam Shahrokhi iu dha dënimi për “propagandë kundër regjimit”, duke postuar përmbajtje “të turpshme dhe vulgare” dhe “përhapje të korrupsionit moral”.

Moin-Shirazi, sipërmarrës dhe ish-kampion i kikboksit, u dënua me nëntë vjet burg, ndërsa Shahrokhi u dënua me shtatë vjet, 74 fshikullime dhe tre muaj punë pa pagesë.

Pasi e kuptuan që ishin në shënjestër të Gjykatës Revolucionare, çifti i njohur së bashku me dy fëmijët e tyre u larguan nga vendi dhe ndodhen në Turqi.
Ata u informuan për dënimin e gjykatës përmes avokatit të tyre, i cili do të përpiqet të apelojë kundër aktgjykimit.

