Nga Shqipëria / E Enjte 13 Gusht 2020, 14:02

Ja kush është 29-vjeçari që u hodh nga kati i tretë i Senatoriumit, djali i stilistes së njohur

Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në spitalin Shefqet Ndroqi. Një pacient 29 vjeç i infektuar me Covid-19, u hodh nga kati i tretë i spitalit duke humbur jetën. 

Identiteti i tij të riut është Xhino Koça. Ai ndodhej i shtruar në spital prej disa ditësh pasi kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.

Xhino është djali më i vogël i dy prindërve të njohur nga Durrësi, stilistes Lira Koça dhe kreut të Njësisë Administrative nr.2 Leonard Koça, raportoi pas ngjarjes "DurrësiLajm".

Fax News mësoi se i riu është hedhur nga ballkoni në momentin kur infermierja kishte shkuar për t'i bërë injeksionin. Ka qenë infermierja që nuk e ka gjetur më pacientin në krevat, pasi kishte shkuar që të merrte një tjetër medikament.

Për ngjarjen e rëndë policia ka nisur hetimet.

Në një reagim të spitalit “Shefqet Ndroqi” thuhet se 29-vjeçari po trajtohej “me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar”.

“Lidhur me arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi’ siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë”, thuhet në njoftimin e spitalit.