Nga Shqipëria / E Mërkurë 12 Gusht 2020, 17:05

Brataj ndan foton e frikshme dhe apelon: Nëse virusi do linte shenja të dukshme, si do silleshim?

Drejtori i Urgjencës Skënder Brataj ka publikuar në rrjete sociale disa foto të cilat pasqyrojnë shenjat që sëmundje të tjera lënë mbi trupin e njeriut. Ai shprehet se nëse Koronavirusi do linte shenja të dukshme si murtaja, lia ose rubeola, atëherë njerëzit do të tregoheshin më të ndërgjegjshëm.

Megjithatë, Brataj shkruan se Koronavirusi shkakton të njëjtat dëmtime të organave të brendshme dhe rrezikon jetën njësoj si këto sëmundje. Ai iu bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë rregullat, për veten dhe të tjerët.

Postimi i plotë:

SIKUR COVID-19 TË PARAQITEJ ME SHENJA SI SËMUNDJET E TJERA EKZANTEMATIKE!

Në datën 1 korrik do të vendosja në faqen time një status me këtë titull nga i cili po mar disa fragmente!

CORONAVIRUSI, MIJËRA SHENJA TË SËMUNDJES QË NUK LË SHENJA!

Prerje nga maska në fytyrë, cikatriçe të krijuara nga orë dhe ditë të stërgjatura të përdorimit të tyre, irritime të fytyrës, lodhje, stres, ankth me kohë të pa përcaktuar. Këto janë shenjat që i referohen një ngjarje, një gjëje ose personave real në frontin e luftës me sëmundjen Covid-19.

Coronavirusi nuk shfaqet me shenja që vihen re, nuk le shenja të dukshme në trup si ndodh me murtajën, apo sëmundje të tjera ekzantemike, ai shkakton dëmtime në mushkëri, të cilat sytë nuk i shohin dot. Por të gjithë kanë parë fotot e arkivoleve të grumbulluara në dhomat e morgut të spitaleve, apo radhët e kamionave me arkivolë dhe askush nuk mund ti harrojë ato.

Po sikur ky virus të linte shenja të dukshme si Murtaja, Lia, Rubeola Fruthi si do të silleshim?

A do tu afroheshim njerëzve të infektuar me Covid-19? A do ta përdornim maskën dhe distancën?

Sigurisht që po, do të zbatonim dhe do të dëbonim këdo me shjenja të dukshme, ndoshta edhe me mënyra shumë agresive! Nëse duam të kujtohemi se çfarë rrezikojmë, atëher vendosni një imazh të një skaneri pulmonar ku të doni, në zyrë, në banesë, në punë dhe kujtohuni se çfarë mund tju shkaktoj kjo sëmundje! Çfarë kanë shkaktuar këto sëmundje njerëzimit në historinë humane duhet ta kujtojmë gjithmonë, në çdo moment!

Këto fotografi tregojnë se dëmtimi është i njëjtë. Covid-19 dëmton si sëmundjet infektive me shfaqje ekzantemike të dukshme, shkakton të njëjtat dëmtime të organeve të brendëshme si ato, rrezikon jetën njësoj si këto sëmundje!

GJITHÇKA DO TË SHKOJË MIRË.

Çdo epidemi, çdo pandemi që ka kaluar njerëzimi ka pasur një fillim dhe një fund. E njëjta gjë do të ndodhi edhe me këtë virus.

Është në dorën tënde, është në dorën tonë e ardhmja, jeta, familja, shoqëria. Mbro jetën, mbro familjen, mbro prindërit, mbro gjyshërit, mbro fëmijët, mbro shoqërinë! Beso profesionistët dhe institucionet, nuk ka teori konspirative, nuk ka çip, nuk ka 5G!

Ka coronavirus që të shkakton sëmundjen covid-19, ka parandalim, ka shërim, ka vdekje nga kjo sëmundje!

Bëj atë që varet nga ty:

Përdor maskën në ambientet e mbyllura
Zbato rregullat e higjenës,
Mbaj distancim fizik.
Mos lejo të tjerët ti shkelin këto rregulla
Përqafo jetën
Së bashku do ja dalim
Konsideroje Covid-19 si sëmundjet infektive me dëmtime të jashtme për të kuptuar çfar ndodh brenda organizmit!