Tre ditë më parë ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj tregoi se fatmirësisht e ka mposhtur betejën me Covid-19 dhe është shëruar. Ditën e sotme në një lidhje live me News 24 Malaj rrëfeu luftën për 3 javë me këtë virus. Në sy ra edhe ndryshimi drastik që ajo ka pësuar në pamje.
Malaj tregoi se përvec problemeve shëndetësore ka rënë edhe 6 kg në 21 ditët e betejës me COVID 19.
“Kam kaluar tre javë jo të lehta…Se dija që ishte covid, mendova që ishte ftohje. E ndjeva veten të dobët, kisha temperaturë dhe kollë. Bisedova pastaj me mjekun Pipero, u alarmua edhe ai për shkak të diabetit që e kam pak të agravuar. Bëra disa analiza, u konstatua që ishte korona. Skaneri e përcaktoi përfundimisht se kisha arritur kulminacionin në ditën e 5-të”, tregoi Malaj.
Ish-deputetja tha po ashtu se nga COVID 19 u prek edhe bashkëshorti.
“E mori edhe im shoq nga unë. Ai e pati në dozë më të lehtë, unë e kisha më të vështirë se më rritej edhe diabeti. Djersinim pafund të dy. Kam marrë holluës gjaku për ta përballuar, më ka lënë disa probleme edhe tek sytë, por edhe në rrugët urinare. Rashë gati 6 kg brenda 21 ditëve”, tregoi ajo ndër të tjera.
