Nga Shqipëria / E Hënë 10 Gusht 2020, 16:04

E fundit/ 125 raste të reja sot, ja qytetet me numrin më të lartë të infektuarve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se gjatë javës që lamë pas është vënë re një rritje e numrit të rasteve të konfirmuara dhe numrit të testimeve për 1000 banorë.

Incidenca e sëmundjes COVID-19 në Shqiperi deri në javën që lamë pas është 214.9 raste për 100.000 banorë. Në nivel qarku, incidenca më e lartë është në Tiranë e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra, ndërsa qarku me incidencën më të ulët është Elbasani.

Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara me Covid-19 është 47 vjeç. Grupmosha 55-64 vjeç zë përqindjen më të lartë të të prekurve me 19.7% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18.5% të rasteve të konfirmuara.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 506 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 125 persona janë konfirmuar pozitiv.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 68 raste në Tiranë, 15 në Korçë, 10 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Lezhë, Berat, Gjirokastër, nga 3 raste Lushnje, Kurbin, 2 në Devoll, nga 1 rast Elbasan, Kukës, Pukë, Përmet, Sarandë, Divjakë, Kolonjë dhe Gramsh.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 37 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3379, që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 122 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.