Nga Shqipëria / E Hënë 10 Gusht 2020, 11:11

Janë të infektuar por dalin negativ, Mjekja tek Shefqet Ndroqi ngre alarmin: Këtu kam 210 të shtruar

Silvana Bala, Shefe e Pneumologjisë tek spitali “Shefqet Ndroqi” shprehet në një prononcim për TV Klan se vetëm në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë 210 pacientë të shtruar, që shfaqin probleme pneumologjike dhe sipas pamjeve imazherike kanë virusin Covid në mushkëri. Ajo tregon se ka edhe të infektuar që tamponi u del negativ. 

“Është një situatë e rënduar. Unë kam këtu rreth 210 të shtruar. Vështirësia në frymëmarrje që është simptoma kryesor i këtyre rasteve, 2/3 e tyre dalin me tampon negativ sepse e kanë kaluar stadin e parë në shtëpi. Covid me test nazofaringial del në ditët e para. Kur infeksioni zbret poshtë testi që merret në rrugët e sipërme respiratore rezulton negativ, ama pjesët e poshtme të mushkërive janë prekur. Është vendosur pneumonia”, thotë Bala.

Specialistët tek “Shefqet Ndroqi” thonë se tek urgjenca e këtij spitali paraqiten rreth 50 raste në ditë dhe gjysma e tyre shtrohen. “Ka edhe mosha të reja që shtrohen, nga mosha 18 deri në moshën 40-vjeç.”, u shpreh më tej mjekja.