Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarm se sistemi shëndetësor i Shqipërisë mund të kalojë në kolaps, jo vetëm nga pasojat e koronavirusit, por edhe nga pamundësia që në spitalet e vendit mund të trajtohen sëmundjet e tjera.
Në një raport të sajin mbi planet social-ekonomike të Shqipërisë për t’iu përgjigjur pandemisë, OKB nënvizon se vendi mund të përballet me shtim të vdekjeve, për shkak të mos trajtimit të sëmundjeve të tjera të kurueshme dhe të parandalueshme, për shkak se kapacitetet shëndetësore të Shqipërisë mund të jenë në pjesën më të madhe të tyre në fuksion të pandemisë së COVID-19.
‘Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mund të tejngarkohet së shpejti nga epidemia e COVID-19, nëse nuk mbështetet si duhet. Siç theksohet edhe në Analizën e Situatës, vdekjet nga virusi mund të tejkalohen së shpejti nga vdekjet që ndodhin për shkak të sëmundjeve të parandalueshme ose të trajtueshme, që nuk do të menaxhoheshin dot më tej për shkak të mosfunksionimit të sistemit shëndetësor’.
Në gjetjet e raportit të OKB-së situata e epoidemisë në shqipëri do të sjellë gjithashtu një rritje të papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Sipas planit social ekonomik, rimëkëmbja e vendit nga Covid-19 duhet të përqendrohet në 5 shtylla kryesore.
Burimi: balkanweb.com
