Një shpërthim i fuqishëm ndodhi këtë të martë në Bejrut të Libanit. Deri më tani janë raportuar rreth 50 viktima dhe mbi 5.000 të plagosur. Pamjet që kanë qarkulluar në rrjet pasqyrojnë një katastrofë të vërtetë, me njerëz të trembur dhe të gjakosur, ndërtesa dhe automjete të shkatërruara.

Në një deklaratë për "Top Channel", konsulli i nderit i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb ka folur rreth situatës së krijuar dhe nëse kishte shqiptarë në vendin ku ndodhi shpërthimi. Ai është shprehur se deri më tani nuk ka asnjë informacion se ndonjë shtetas shqiptar mund të ketë humbur jetën apo dhe të jetë plagosur.

“Ishte një shpërthim shumë i madh. Ndoshta më i madhi ndodhur ndonjëherë në këtë rajon. Deri më tani nuk kemi asnjë lajm për shqiptarë të vdekur apo të plagosur pasi presim nga policia raportet zyrtare. Janë disa shqiptarë që punojnë shumë larg Bejrutit në zonën e njohur si Tripoli Libanit në veri dhe disa të tjerë në zonën e Beka. Ata janë mirë. Mund t’ju them se të plagosurit deri më tani janë mbi 5.000. Shumë kanë humbur shtëpitë dhe spitalet janë plot. 50 të vdekur deri më tani. Nëse do të kemi të reja do t’ju themi. Nëse ndonjë shqiptarë ndodhet në Liban të mos hezitojë të kontaktojë konsullatën në numrin që ndodhet online. Mos hezitoni të na kontaktoni. Kam një thirrje për të gjithë ata shqiptarë që mund të kenë hyrë në Liban të regjistrohen në konsullatë dhe të na thonë për situatën ku ndodhen”, është shprehur Ghorayeb.





