Me anë të një postimi në rrjete sociale, ministrja Manastirliu ka bërë me dije se ka filluar përgatitja për të përballuar situatën e Koronavirusit gjatë periudhës vjeshtë-dimër në disa drejtime.
"Po përgatitemi për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime: Nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare, tek skuadrat e dedikuara të mjekëve dhe infermierëve për spitalet Covid3 dhe Covid4, tek fuqizimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale; nga rritja e kapaciteteve testuese tek vaksinimi i grupeve të riskuara, nga parandalimi i kontrollit të infeksioneve tek masat për vijimin e trajtimeve bashkëkohore të pacientëve me Covid19", është shprehur ministrja.
Ajo iu ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat dhe të përshtaten me normalitetin e ri.
“Deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë, dhe e kemi këtë të evidentuar, janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit. Normaliteti i ri kërkon ta shohim distancimin fizik jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’u treguar edhe më fort dashurinë, duke i mbrojtur. Normaliteti i ri kërkon të përdorim maskën kudo, në çdo ambient të mbyllur, tashmë vendosur me ligj dhe kudo ku distancimi është i pamundur. Kërkon të zbatojmë rregullat e higjienës kudo, në çdo çast, kudo ku ne të mundemi. Normaliteti i ri kërkon nga ne fare pak, shumë shumë pak! Të gjithë bashkë, duke respektuar rregullat e thjeshta por jetëshpëtuese mund t’ia dalim! Asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur! Filloje dhe ti nga vetja! Filloje sot”, tha ajo.
