Prej ditësh, Kosova është në një situatë alarmante nga Koronavirusi. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 226 raste të reja dhe 15 jetë të humbura.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka dhënë së fundmi një intervistë për "Euronews Albania". Ai është shprehur se gjendja paraqitet e rëndë dhe se sistemi shëndetësor ndodhet në prag kolapsi.
“E vërteta është se tani po mbajmë nën kontroll çfarë mund të mbajmë nën kontroll. Na brengosin shumë infektimet në popullatë, por edhe në personelin shëndetësor, që është alarmante në këtë moment.
Detyra e shtetit është të marrë masa që janë të rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë, por detyra më kryesore e politikës është të monitorojë respektimin e këtyre masave. Strukturat kanë hezituar për përdorin dorën e fortë, dhe këto masa janë injoruar.
Në masë të madhe respektimi i masave lë shumë për të dëshiruar. Masat janë injoruar dhe prandaj kemi një situatë të tillë. Ne jemi në buzë të një kolapsi në sistemin shëndetësor”, tha Sejdiu.
