Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar dot betejën me koronavirusin 4 qytetarë.
Fatkeqësisht virusi nuk ka kursyer as një të ri 31-vjeçar nga Tirana, i prekur me Covid-19, që vuante nga diabeti dhe ka ndërruar jetë në spitalin "Shefqet Ndroqi".
Nuk e kanë fituar betejën me Covid-19 edhe 3 qytetarë të tjerë, një 69-vjeçar nga Shkodra, një 76-vjeçare nga Fier dhe një 85-vjeçar nga Korça. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.
Aktualisht në spitalet "Shefqet Ndroqi" dhe "Infektiv", po trajtohen 124 pacientë, 18 në terapi intensive dhe 7 të intubuar.
