Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se në 24 orët e fundit fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me koronavirusin 2 qytetarë.
Ministria njofton se ka humbur jetën një 68 vjeçare nga Shijaku me disa sëmundje bashkëshoqëruese e shtruar në spital Covid 1 dhe një 60 vjeçare nga Tirana, pa sëmundje të tjera, e shtruar tek Covid 2. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.
Aktualisht në spitalet "Shefqet Ndroqi" dhe "Infektiv", po trajtohen 125 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 7 të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë njofton se në 24 orët e fundit janë kryer 502 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 52 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Kukës, 6 në Fier, 5 në Mirditë, 4 në Tropojë, nga 3 raste në Vlorë, Kamëz, Përmet, nga 2 raste në Elbasan, Tepelenë, Memaliaj dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Lezhë, Has, Pogradec, Prrenjas dhe Berat.
