Prej ditësh numri i të infektuarve nga Koronavirusi në Shqipëri vazhdon të rritet. Vetëm në 24 orët e fundit u raportuan 117 raste të reja.
Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini ka dhënë së fundmi një intervistë për "Euronews Albania", gjatë së cilës është shprehur se po konstatohet një përhapje e dendur komunitare e rasteve me Koronavirus.
Tomini tha se virusi po shoqërohet me simptoma agresive, madje dhe te grupmoshat e reja. Ajo u shpreh se Covidi ka paraqitur një tendencë në rritje përgjatë 7 javëve të fundit.
“Aktualisht në Shqipëri ka një transmetim komunitar, që do të thotë se kemi një transmetim të dendur dhe situatë serioze të paraqitjes së rasteve të COVID-19. Kemi transmetueshmëri të virusit, kemi prezencë të simptomave në mënyrë agresive dhe një situatë klinike serioze. Kjo është vënë re edhe tek grupmoshat e reja.
Kjo simptomatologji që është më agresive se në javët e para të pandemisë kur ne ishim edhe në një ndarje të theksuar mes njëri tjetrit për shkak të karantinës, sigurisht tani kjo është më e ashpër dhe pavarësisht parashikimeve që gjatë sezonit veror u parashikua një ulje, COVID-i ka paraqitur një tendencë në rritje të paktën në shtatë javët e fundit.
Në tre javët e fundit kemi një intensitet të lartë të shfaqjeve së rasteve. Duke parë edhe transmetimin komunitar, projeksionet mund të themi se edhe në tre javët në vijim do të kemi të njëjtin trend të COVID-19”, tha Tomini për Euronews Albania.
