Nga Shqipëria / E Hënë 27 Korrik 2020, 11:11

Miqtë mblodhën para për ta dërguar në Turqi, ndërron jetë nga Covid mësuesi nga Shkodra

Gazion Rusi, një mësues nga Shkodra, në moshë të re, 39 vjeç, ka humbur betejën më koronavirusin.

Mësuesi, i cili ushtronte profesionin e tij në Medresenë e Shkodrës, ka qenë i shtruar në Tiranë, ndërsa ditët e fundit gjendja e tij është komplikuar ndjeshëm. Ai ka qenë i shtruar në spitalin 'Shefqet Ndoqi', aty ku pavarësisht ndihmës së mjekëve nuk ka mundur t'ia hedh kësaj sëmundje.

Nga të afërmit dhe të njohurit u bë edhe apeli për ta dërguar jashtë vendit dhe për këtë arsye u mblodhën 38 mijë euro në afro 12 orë. Pavarësisht solidarizimit të jashtëzakonshëm fatkeqësisht mësuesi s'e fitoi dot betejën.

Humbja e parakohshme e mësuesit të Shkodrës Gazion Rusi, ka sjellë reagimin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhahid Bushati, i cili ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij. 

Postimi i plotë:
NJË PIKËLLIM MË I MADH SE QIELLI
 Sot u nda nga jeta një mik shumë i mirë, një mësues i talentuar, një mysliman i devotshëm, një baba ideal. Ky quhej Gazion Bahri Rusi.
 Kurrë nuk kisha menduar të shkruaja për ty në një ditë dhimbjeje si kjo. Kurrë… Ti nuk e fitove betejën… Ky ishte kaderi i Zotit për ty. 
 Ti ishe pjesë e zemrës së familjes time. Ti ishte ajo djaloshi që nuk dije kurrë të thoje: Jo! Sakrifikoje për të tjerët. I tillë ishe, i tillë do të mbetesh. Vajza ime të quante: - Vëlla. Sot ajo mbeti pa vëlla, mbeti jetime!
 E ç’të të them Gazo, kështu të thërrisja. Ç’të të them!... Lotët dhe pikëllimi që ka rënë në familjen time është më i madh se deti. As deti nuk i zë.
 Po ç’do t’i them Seborës, po tri vajzave të vogla, po tezes së shtrenjtë! Nuk kam fjalë, se fjalët m’i kanë mbuluar lotët që rrjedhin pafund...
 Shumë u lutëm për Ty, por…
 Gazjon, o gaz i jetës, o Gazi i jonë; do të na mungosh, por jo të kemi në tri zemrat e familjes sime; se ishe Zemër e Madhe.
 Ah, Gazo…
 Të qoftë dheu I lehtë!
 Ah, Gazo!...
 Xhahid Bushati, Shkodër, 27.07.2020

Burimi: shqiptarja.com