Gazion Rusi, një mësues nga Shkodra, në moshë të re, 39 vjeç, ka humbur betejën më koronavirusin.
Mësuesi, i cili ushtronte profesionin e tij në Medresenë e Shkodrës, ka qenë i shtruar në Tiranë, ndërsa ditët e fundit gjendja e tij është komplikuar ndjeshëm. Ai ka qenë i shtruar në spitalin 'Shefqet Ndoqi', aty ku pavarësisht ndihmës së mjekëve nuk ka mundur t'ia hedh kësaj sëmundje.
Nga të afërmit dhe të njohurit u bë edhe apeli për ta dërguar jashtë vendit dhe për këtë arsye u mblodhën 38 mijë euro në afro 12 orë. Pavarësisht solidarizimit të jashtëzakonshëm fatkeqësisht mësuesi s'e fitoi dot betejën.
Humbja e parakohshme e mësuesit të Shkodrës Gazion Rusi, ka sjellë reagimin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhahid Bushati, i cili ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij.
Postimi i plotë:
NJË PIKËLLIM MË I MADH SE QIELLI
Sot u nda nga jeta një mik shumë i mirë, një mësues i talentuar, një mysliman i devotshëm, një baba ideal. Ky quhej Gazion Bahri Rusi.
Kurrë nuk kisha menduar të shkruaja për ty në një ditë dhimbjeje si kjo. Kurrë… Ti nuk e fitove betejën… Ky ishte kaderi i Zotit për ty.
Ti ishe pjesë e zemrës së familjes time. Ti ishte ajo djaloshi që nuk dije kurrë të thoje: Jo! Sakrifikoje për të tjerët. I tillë ishe, i tillë do të mbetesh. Vajza ime të quante: - Vëlla. Sot ajo mbeti pa vëlla, mbeti jetime!
E ç’të të them Gazo, kështu të thërrisja. Ç’të të them!... Lotët dhe pikëllimi që ka rënë në familjen time është më i madh se deti. As deti nuk i zë.
Po ç’do t’i them Seborës, po tri vajzave të vogla, po tezes së shtrenjtë! Nuk kam fjalë, se fjalët m’i kanë mbuluar lotët që rrjedhin pafund...
Shumë u lutëm për Ty, por…
Gazjon, o gaz i jetës, o Gazi i jonë; do të na mungosh, por jo të kemi në tri zemrat e familjes sime; se ishe Zemër e Madhe.
Ah, Gazo…
Të qoftë dheu I lehtë!
Ah, Gazo!...
Xhahid Bushati, Shkodër, 27.07.2020
Burimi: shqiptarja.com
