Prej 20 vitesh, artistja Valbona Haklaj Lalaj ka ushtruar profesionin si këngëtare në lokale nate. Ajo ka dhënë së fundmi një intervistë për "Ora News", ku ka bërë një rrëfim tronditës.
Lalaj ka treguar se pas vendimit të qeverisë për mbylljen e lokaleve të natës si pasojë e Koronavirusit, ka menduar të bëjë vetëvrasje. Ajo është nënë e dy fëmijëve, të cilët i ka rritur e vetme pas divorcit. Nga mbyllja e lokaleve jeta e saj është vështirësuar shumë.
Fatmirësisht, këngëtarja ka menduar për fëmijët e saj dhe ka hequr dorë nga mendimi i vetëvrasjes. 37-vjeçarja tani punon në një market dhe apelon ndaj qeverisë që të lehtësojë masat.
"Më është dashur të luftoj që fëmija im të ketë veshjen, të ketë ushqimin, ti ketë të gjitha. Por nuk e ka pasur nënën pranë. Vështirësitë për një femër të vetme janë të shumta por kam mbijetuar me punën dhe profesionin që bëj si këngëtare dhe artiste që 20 vite.
E mora këtë vendim të bëjë vetëflijim. Më vonë mendova se plagën më të madhe do t’ua lija fëmijëve të mi. Unë me këtë punë kam jetuar. Sot kam nisur punën në market, shteti po na vret. Nuk po na jep një përgjigje. Pse vetëm ne?", është shprehur ajo.
