Nga Shqipëria / E Premte 24 Korrik 2020, 10:10

Të infektuarit me Covid-19 shkelin karantinën, dalin në rrugë e qendra tregtare

Nëndrejtoresha e Qendrës Spitalore Nënë Tereza, Arjana Strakosha ka ngritur një shqetësim për të infektuar me Covid-19. Ajo ka treguar në një intervistë për A2 se personat e infektuar po shkelin karantinën dhe po dalin pa asnjë problem në rrugë, lokale, qendra tregtare por edhe në spitale duke mos treguar se janë të infektuar. 

“Në periudhën pas hapjes së masave shtrënguese po vihet re një fenomen i shëmtuar, që shumë persona që me plot gojë mund t’u themi të pandërgjegjshëm, dalin nga karantina, shkrihen mes turmës, dalin nëpër qendra tregtare, marrin pjesë në aktivitete të ndryshme. Këta janë faktor i madh risku. Më e keqja është se këta vijnë në spital pa treguar që janë persona të karantinuar. Pavarësisht se kemi marrë masat tona, shpeshherë vijnë dhe nga rrethet dhe nga rruga dhe simulojnë  gjendje të ndërlikuara”, u shpreh nëndrejtoresha.

Strakosha shprehet se të konfirmuarit me koronavirus nuk duhet të dalin nga shtëpia për dy apo tri javë, dhe vetëm në momentin kur pas tamponit të dalë negativ. Ndërsa për raste të veçanta ai dërgohet në spital me masa mbrotjëse.

“Mund të vuajë dhe nga sëmundje të tjera sepse Covid-19 ndërhyn në shumë sëmundje dhe i rëndon ato. Ai duhet të vijë i izoluar në ambulancë apo me makinë, me maskë dhe të tregojë. Nuk ke garanci që ai nuk emeton sepse e transmeton përmes duarve, nëpërmjet rrobave, është një virus me shumë të panjohura dhe me efekte të jashtëzakonshme në popullatë”, tha nëndrejtoresha për A2.