Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka ndarë në rrjete sociale rrëfimin e mjekes Lorena Bici e cila çdo ditë i shërben pacientëve të prekur me koronavirus në spitalin Infektiv.
Bici shprehet se spitali po mbushet me të sëmurë teksa kolegët e saj luftojnë për të shpëtuar sa më shumë jetë.
“Jo rrallë dëgjoj të pyetet: “E vërtetë?” Në pak ditë shoh një spital që mbushet frikshëm me të sëmurë në gjendje të rëndë! Shoh mjekë infermierë, sanitarë që luftojnë për të lehtësuar dhe për të shpëtuar sa më shumë jetë! Duket sikur e kanë harruar rrezikun e madh që i kërcënon në luftën me Covid-in. Me të vërtetë e frikshme!
Por Covid-19 është armik shumë i dobët, nëse e luftojmë të gjithë bashkë! Ju lutem mbroni jetët tuaja dhe jetët tonat, thjeshtë duke vendosur maskën! Së bashku mund dhe do t’ia dalim”, është mesazhi i mjekes.

