Të hënën qeveria bëri me dije se hapja e klubeve të natës, diskove, bareve dhe shërbimeve të ngjashme është rreptësisht e ndaluar, ashtu si dhe muzika pas orës 20:00. Lidhur me këto masa, të cilat kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së Koronavirusit, ka reaguar së fundmi mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.
Ai u shpreh se virusi lëviz me ne në shtatë ditët e javës, pasi nuk ka fasha orari. Megjithatë Pipero u shpreh se masat e ndërmarra kanë si objektiv frenimin e qarkullimit të virusit mes të rinjve që frekuentojnë lokalet e natës.
“Virusi lëviz me ne, sa kohë lëvizim në 7 ditët e javës virusi do të lëvizë me ne. Virusi nuk ka fasha orari. Unë besoj se ndalimi i funksionimeve të klubeve të natës dhe muzikës, nuk është qëllim në vetvete, por ka për objektiv frenimin e qarkullimin e virusin mes të rinjve që frekuentojnë lokalet e natës. Të gjitha lokalet dhe baret, si ditën ashtu edhe natën, duhet të respektojnë protokollet e sigurisë. Nuk mund të kërcejmë 2 metra larg njëri-tjetrit”, tha Pipero.
