Nga Shqipëria / E Shtunë 18 Korrik 2020, 18:06

'Nuk vdiq nga Covidi', xhaxhai i 21-vjeçares te Infektivi bën deklaratën e fortë: E kanë vrarë ata

Fredi Çarçiu, xhaxhai i 21-vjeçares nga Gramshi, për të cilën Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka humbur jetën nga Koronavirusi, ka dhënë së fundmi një deklaratë për mediat.

Ai është shprehur se Amantia nuk ka humbur jetën nga Koronavirusi. Sipas tij 21-vjeçarja vuante nga diabeti dhe bajamet. Në deklaratën e tij, zoti Çarçiu ka shtuar se nëse vajza është viktimë e Covid-it, atëherë atë "e kanë vrarë".

“Vajza ka vuajtur nga diabeti dhe bajamet, ka shkuar në spital me temperaturë nga bajamet. Ka qenë më tempertaturë të vazhdueshme disa ditë.

Ne nuk e dërguam menjëherë në spital sepse e dinim si ishte gjendja të Infektivi dhe për më tepër e dinim që temperaturën ia shkaktonin bajamet. Vajza kishte një javë e shtruar në spital por e kishte kaluar tre-katër herë këtë krizë.

Nëse ajo është viktimë e covidit, atëhere e kanë vrarë ata. Kam tre javë që kam ardhur nga Gjermania dhe doja të dilja me të dhe jo ta varrosja.

Në 24 orët e fundit, para se të ndërronte jetë, vajza ka folur me mua në kamera: më vjen shumë keq që s’e regjistrova videon. Humba dritën e syve.

Sot e motra, shkoi të tërheqë dosjen nga spitali dhe çfarëdo të jetë shkruar në atë dosje unë nuk e besoj, nuk e di çfarë politike luhet që thonë se vajza vdiq nga COVID por unë i akuzoj drejtpërdrejte dhe marr gjithçka parasysh sepse kam besim që e drejta do vërtetohet.

Amantia nuk ka vdekur nga COVIDI, që u fusin frikën njerëzve këta. Dua të përgënjeshtroj këtë. Ka qenë një vajzë që kush e shikonte në rrugë e mbante mend me buzqëeshjen e vet, e donte jetën dhe luftonte pavarësisht mbipeshës, e kalonte me shaka, të gjithë e donin, ishin prototipi i lagjes.

Sapo kishte mbaruar provimin e shkollës së lartë, tani në korrik kishte dhënë provimin e saj të parë, nuk arriti të merrte as diplomën”, ka treguar xhaxhai i Amantias për "Newsbomb.al".

Kujtojmë se më parë dhe motra e Amantias dha një rrëfim për mediat. Njëjtë si xhaxhai, ajo shprehej se 21-vjeçarja nuk ka vdekur nga Koronavirusi, të cilin e kishte marrë në spital. (Lexo këtu)

Burimi: "Newsbomb.al"