Nga Shqipëria / E Shtunë 18 Korrik 2020, 16:04

Humbin jetën 4 pacientë me koronavirus në vendin tonë

Ministria e Shendetesise njofton se katër persona kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 111 numrin e viktimave në total. Viktimat janë një 43-vjeçar nga Kamza pa sëmundje të tjera, i intubuar dhe në gjendje të rëndë prej disa ditësh.

Po kështu, betejën me virusin nuk e ka fituar as një 60-vjeçar nga Shkodra, një 64-vjeçar nga Durrësi dhe një 61-vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese.

Në 24 orët e fundit, ISHP ka kryer 501 testime dhe kanë rezultuar të infektuar me koronavirus 102 persona.

Paraqitet e rëndë edhe situata në dy spitalet covid. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë, 14 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.