Nga Shqipëria / E Premte 17 Korrik 2020, 17:05

Identifikimi i të prekurve me Koronavirus, Manastirliu jep lajmin e rëndësishëm

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se është hapur laboratori i dytë për testimet për COVID19. Pas laboratorit në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e pacientëve me Koronavirus do të kryhen dhe në QSUT.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Manastirliu ka njoftuar se laboratori i ri është i çertifikuar nga OBSH dhe do të rrisë kapacitetet e testimeve.

“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre. 

Sepse ne për asnjë moment nuk e kemi humbur vëmendjen nga qëllimi primar i testimit. i cili është pikërisht gjurmimi, izolimi dhe mundësia e kufizimit dhe e ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit. Ky laborator i certifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Aktualisht në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, që është një laborator reference, kapacitetet e testimit janë nga 500-1 mijë testime ditore dhe me hapjen e këtij laboratori për pacientët e spitaleve COVID, vijojmë rrisim kapacitetet, por rëndësi ka cilësia e testimit, ndaj dhe ky laborator është i biosigurisë 2, i çertifikuar nga OBSH", është shprehur ministrja.